Përleshje mes disa personave në diskotekën ‘Lit’, njëri nga të dyshuarit ishte i armatosur

Lokalet e natës të cilat frekuentohen për t’u argëtuar me muzikë, shpesh herë shndërrohen edhe në ring boksi. Nuk janë të rralla rastet kur të rinjtë që dalin të shijojnë jetën e natës, përfundojnë në telashe pasi përfshihen në përleshje fizike, raporton Gazeta Sinjali.

Emri i klubit të natës ‘Lit’ në Prishtinë shumë shpesh lakohet në media për incidentet që ndodhin aty. Në orët e para të ditës së sotme, është raportuar për një rrahje në këtë lokal nate, ku dyshohet të jenë përfshirë disa persona.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që kishin shkuar të argëtohen, kishin dalë dhe ishin përleshur në rrugë, ku si pasojë katër persona kanë mbetur të lënduar dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe më pas kanë intervistuar viktimat. Katër të rinjtë kanë deklaruar se janë sulmuar me mjete të forta nga disa persona të panjohur dhe sipas tyre, njëri nga të dyshuarit kishte edhe armë me vete.

Të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar në drejtim të panjohur, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e tyre.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

(foto ilustrim)

Lexo edhe:  Në Laushë fillon ndërtimi i memorialit të daljes publike të UÇK-së