E dhimbshme: 85-vjeçari nga Drenasi jeton i vetëm në kushte të rënda, KEDS ia këput rrymën për borxh

Një 85 vjeçar nga fshati Poklek i Vogël i Drenasit jeton i vetëm dhe në kushte të mjerueshme. Përpos vështirësive financiare, atij tash e një javë i është ndërprerë energjia elektrike. Ai thotë se jeton vetëm me pensionin prej 90 eurosh, që nuk i mjaftojnë as për ilaçe.

Nga KEDS-i kanë thënë se atij ia kanë ndërprerë rrymën për shkak të borxhit. Kurse, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë thënë se personi në fjalë nuk mund të përfshihet në pakon e paraparë nga Qeveria e Kosovës për rastet e skemës sociale, pasi ai i takon pensionit bazë.

Rrudhat në ballë, janë dëshmi për një jetë plot sfida e sakrifica për 85 vjeçarin, Idiriz Muqolli, i cili jeton i vetëm në shtëpinë e tij në fshatin Poklek i Vogël i Drenasit.

Jetesën në vetmi për 30 vjet, atij ia ka rënduar edhe më shumë gjendja ekonomike.

E vështirësitë për të, janë shumëfishuar ditëve të fundit, pasi që tash e një javë KEDS-i ia ka ndërprerë furnizimin me rrymë.

Ai thotë se jeton me pensionin në shumë prej 90 euro, të cilat nuk i dalin as për t’i blerë ilaçet që i nevojiten, prandaj nuk ka para për ta paguar edhe faturën e rrymës.

Ai thotë se rënia e temperaturave do të ndikojë në shëndetin e tij, pasi që nuk ka mundësi të sigurojë ngrohje për shtëpinë.

Kujdesin për ushqim ai e merr vetëm nga një i afërm i tij, por pagesat e tjera nuk mund t’i bëjë pasi edhe ai nuk jeton në kushte të mira.

Xhemshir Muqolli, familjari i cili përkujdeset për të, thotë se për shkak të sëmundjes nga e cila lëngon 85 vjeçari, e ka të domosdoshme ngrohjen.

Lexo edhe:  Vendet që do mbesin pa rrymë nesër e pasnesër në pjesën më të madhe të ditës

Ai ka bërë thirrje ndaj institucioneve që të merret parasysh rasti i tij dhe të lirohet nga pagesa.

Nga KEDS-i kanë thënë se ndërprerja e rrymës për 85 vjeçarin ka ardhur si pasojë e grumbullimit të borxhit, në shumë prej rreth dymijë euro.

“Për rastet sociale paguan Qeveria e Kosovës përmes Departamentit të Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pse ai nuk është në listë ju lutem drejtojuni kësaj ministrie”, tha Viktor Buzhala – Zëdhënës i KEDS-it.

Kurse, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë thënë se rasti në fjalë nuk mund të jetë përfitues i pakos për rastet sociale që është paraparë nga Qeveria e Kosovës për shkak se ai është në skemën e socialit bazë.

“Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) skema e pensioneve bazë nuk përfshihet në marrëveshje për subvencionim të energjisë elektrike. Familjet që kanë përfituar nga subvencionimi i energjisë elektrike janë: Familjet në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS), Familjet e Dëshmorëve të UÇK-së, Familjet e Viktimave Civile, Familjet e të Zhdukurve, Invalidët e Luftës, Personat e Verbër, Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë. Në subvencionim nuk do të përfshihen kujdestarët e përfituesve të skemave të sipërshënuar.”, tha Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Për shkak të rritjes së çmimeve dhe kushteve jo të mira financiare, 85 vjeçari ende nuk i ka të siguruara drutë për këtë dimër.

Derisa, për t’u ngrohur, 85 vjeçarit i ka mbetur vetëm kjo alternativë.