I riu në Prishtinë kapet në flagrancë nga Policia me drogë e armë

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në rrugën ‘Egnatia’ të lagjes Ulpiana në Prishtinë.

Sinjali mëson se gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndalur një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Pas kontrollit, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe një thikë.

Për shkak të posedimit të thikës dhe narkotikëve, 23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e sekuestruara me rastin e kontrollit policor.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Burri nga Prishtina i jep dajak të dashurës në kafeteri, ky ishte motivi!