Rrahje mes punëtorëve të Rentave në ‘Aeroportin Adem Jashari’: Fyerje, shtyrje dhe më pas grushte – njëri ndalohet për 48 orë

SNjë konflikt mes dy personave të angazhuar në kompani të ndryshme rent-a-car në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka eskaluar dy herë brenda së njëjtës ditë, duke nisur me fyerje e shtyrje në terminal dhe duke përfunduar më pas me sulm fizik.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se incidenti i parë ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 17:20.

Sipas të dhënave të rastit që ka siguruar Sinjali, Leotrim Dalipi, 33-vjeçar nga Fushë Kosova, ishte duke pritur një klient në Aeroport, kur i është afruar Veton Shala, 35-vjeçar nga Vrella e Goleshit, i cili po ashtu operon me një biznes rent-a-car në afërsi të Aeroportit.

Dalipi ka deklaruar se Shala fillimisht ka nisur ta fyejë dhe më pas e ka thirrur që të dalë jashtë terminalit.

Gjatë përplasjes verbale, Shala dyshohet se e ka shtyrë ankuesin me duar.

Dalipi nuk ka dalë jashtë terminalit, por ka njoftuar Policinë.

Në rast është përfshirë Policia Kufitare e Aeroportit, e cila i ka arrestuar fillimisht të dy personat dhe i ka shoqëruar për procedura të mëtejshme.

Por tensionet nuk janë qetësuar as gjatë shoqërimit.

Sipas burimeve, Shala dyshohet se ka vazhduar me fyerje dhe shprehje banale ndaj Dalipit dhe vëllait të tij, në prani të një zyrtareje policore.

Pas përfundimit të procedurave fillestare, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.

Mirëpo, historia nuk përfundoi aty.

Pas kthimit të tyre sërish në Aeroport, mes palëve ka shpërthyer një konflikt i dytë.

Kësaj radhe, sipas të dhënave të rastit, Veton Shala dyshohet se e ka sulmuar fizikisht Leotrim Dalipin në hapësirat e Aeroportit.

Incidenti i dytë ka ndryshuar rrjedhën e rastit.

Lexo edhe:  Fjalosja pas përleshjes të qenve çoi në vrasjen në Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim

Pas njoftimit për sulmin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Veton Shala të ndalohet për 48 orë.