Drenicasi e rrah mergimtarën pasi erdhi në Kosovë për pushime: E kam gruan tjetër, shpirtin kam me ta marrë

Numri i rasteve të dhunës në familjet kosovare është në rritje çdo ditë e më shumë. Jo rrallëherë ndodh që në Polici të denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora, të cilët i zë sherri posa arrijnë në Kosovë.

Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në Drenas, ku një mërgimtare e ka denoncuar bashkëshortin e saj dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka raportuar se pasi ka ardhur nga Norvegjia për pushime në Kosovë, ka pasur konflikte verbale me burrin e saj, që eskaluan edhe në dhunë.

Gjithçka kishte ndodhur në banesën e tyre, mëngjesin e djeshëm, kur i dyshuari fillimisht e kishte rrahur viktimën, e më pas ka tentuar ta ngufas.

Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti edhe e ka kërcënuar gruan, duke i kërkuar që të largohej nga banesa.

Sinjali mëson se ndër të tjera, i dyshuari i ka thënë bashkëshortes se “Largohu se shpirtin kam me ta marrë, e kam gruan tjetër”, thonë të njëjtat burime.

Të gjitha detajet e asaj që kishte ndodhur, viktima i ka rëfyer në Polici, me rastin e denoncimit.

Si rezultat i raportimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij.

Lexo edhe:  Emocionuese: Pensionohet punëtori i verbër i “Ibër-Lepencit”