Djali e rrah nanën e tij, ajo kërkon ndihmë në polici

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. E një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Matiqan të Prishtinës.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar nëna, e cila ka deklaruar se është në hall nga djali i saj 21-vjeçar, i cili vazhdimisht ushtron dhunë psikike e nganjëherë edhe fizike ndaj nënës së tij.

Sipas saj, mbrëmë i riu është vërsulur ta sulmojë nënën e tij e cila po bisedonte me bashkëshortin e saj, i cili edhe e kishte parandaluar dhunën fizike të djalit ndaj nënës së tij. Ndërsa bën të ditur se hera e fundit që djali ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, është javën e kaluar, por që ajo nuk e kishte denoncuar rastin.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka mohuar të ketë ushtruar dhunë psikike e fizike ndaj nënës së tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që 21-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Hajnat e bëjnë qyl shtëpinë e familjes Hoti në Prizren, vjedhin para e stoli – dëmi mbi 20 mijë euro