Dita e parë pa viza, qytetarët shprehen të lumtur e të lehtësuar

Nga sot qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për viza për udhëtim në shtetet e zonës Schengen. Dhe, që në ditën e parë u vërejt fluks në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kufitare tokësore. Qytetarët u shprehën të lumtur e të lehtësuar, derisa kryeministri Albin Kurti tha se sot u hoq një padrejtësi e madhe

1 janari i sivjetmë ishte shumë më ndryshe në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Pati më shumë tollovi e më shumë linja fluturimi drejt shteteve perëndimore.

Qytetarët kosovarë, që në orët e para të mëngjesit të së hënës zunë fluturimet drejt Zvicrës e Austrisë. Dhe atyre për herë të parë nuk iu deshën vizat.

Ata u shprehen të lehtësuar që më në fund hyri në fuqi liberalizimi dhe se po mund t’i vizitojnë familjarët e tyre.

“Është një ëndërr e kamotshme, një e drejtë e cila padrejtësisht na është mohuar, por tash prej 1 janarit që janë hequr vizat janë lehtësuar disa procedura të cilat kanë qenë edhe të shtrenjta edhe të mundimshme dhe tani mund të lëvizim lirë, t’i vizitojmë të afërmit tanë e ta vizitojmë Evropën kështu që jemi shumë të lumtur”, tha Arbër Rrustaj.

E lumtur për liberalizimin e vizave shprehet edhe qytetarja Vlora Lati.

“Për mua është hera e parë që po udhëtoj e për nënën hera e katërt, e edhe ajo gjithmonë duke u maltretuar me këto viza…Sot jam shumë e lumtur që është bërë liberalizimi dhe po udhëtojmë të lirë
Qytetarja Nurije Kosumi thotë se për herë të parë po shkon në Zvicër te vëllai dhe se po ndihet shumë mirë.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i kanë përshëndetur në avion disa qytetarë, të cilët kanë përfituar bileta falas për në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, pasi fituan në një kuiz të organizuar nga Qeveria gjatë fushatës së informimit për liberalizimin.

Lexo edhe:  Zbulohet plantacioni i drogës në Spanjë, arrestohen 7 shqiptarë dhe 3 serbë

E në një konferencë për media në Aeroport, ata thanë se heqja e vizave është largim i një padrejtësie të madhe.

“Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. 50 qytetarë do të udhëtojnë për në Vjenë, ata e fituan këtë të drejtë në kuadër të fushatës tonë informuese. Për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave”, theksoi Kurti.
Gërvalla deklaroi se qytetarë tani e kanë mundësinë që pa viza t’i vizitojnë të afërmit.

“E dini fort mirë se sa jo-dinjitoze kanë qenë në rrugë, në shi, në borë dhe në diell. Ato kanë marrë fund me ditën e sotme…Do të keni mundësi që në shtetet e Zonës Schengen të vizitoni familjarët tuaj, të çmalleni”.

Ditën e parë pa viza qytetarët e shfrytëzuan për udhëtim edhe përmes pikave tokësore kufitare. Më së shumti kaluan përmes asaj në Merdar.

Liberalizimi i vizave ua mundëson qytetarëve qëndrimin për qëllime turistike deri në 90 ditë brenda gjashtë muajve në 32 shtete evropiane.