Përleshje në ‘Hangover Club’ në Gjakovë: Sulmohen katër persona, të dyshuarit në arrati

Përleshjet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, të cilat veprojnë edhe pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në sulme, siç dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një diskotekë në Gjakovë.

Sinjali ka mësuar se incidenti ka ndodhur gjatë ndejës që u organizua nga Hongover Club’ për të festuar Vitin e Ri, ku plasi një konflikt mes disa personave.

Sipas informacioneve që ka Gazeta Sinjali, të dyshuarit janë shtetas të Shqipërisë të cilët i rrahën katër persona, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, por nuk kanë arritur t’i kapin të dyshuarit, pasi të njëjtit janë arratisur.

Në anën tjetër, të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë edhe një deklaratë nga ‘Hangover Club’, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm, teksa as Policia akoma s’ka dhënë një konfirmim zyrtar lidhur me rastin.

Lexo edhe:  Përhapet zgjeba në Kosovë, 127 raste gjatë janarit