Dhanë qindra euro për viza pune në Gjermani, rrëfimet e qytetarëve që u mashtruan nga “Aurora Center” (VIDEO)

Arban Nerjovaj, Destan Ahmeti, Fisnik Meholli dhe Florent Kelmendi kishin synim të gjenin një vend pune në Evropë. Por përpjekja e tyre shkoi huq, pasi që të gjithë ranë pre e mashtrimit nga agjencia e ndërmjetësimit për punësime jashtë vendit ‘Aurora Center’. Ata pretendohej se do të punësoheshin si shoferë apo termo-instalues në shtetin gjerman gjatë 2020 – 2021.

500 euro ishte shuma që ata paguan për të filluar procedurat e plotësimit të dokumenteve, para të cilat nuk iu kthyen kurrë, ani pse punën nuk e morën. Arbani thotë se atyre iu premtua kthimi i parave qysh në fillim të marrëveshjes, por vendosi të flasë para kamerës një javë pasi Kiksi i raportoi problemet që kishte kjo kompani me qytetarët.

24-vjeçari kishte nuhatur mashtrimin që në fillim, kjo pasi, siç thotë ai, ndërmjetësuesi Ardit Llapatinca i kërkonte dokumente shtesë vazhdimisht. Bashkë me prizrenasin ishin edhe vëllai i tij Taulanti, djali i hallës Qëndrim Gashi dhe një shok i tij Qëndrim Hoti.

Më vonë ai e kuptoi që shpresat e tij që të punonte si shofer në kompaninë gjermane DHL u shuan, pasi ‘Aurora Center’ tashmë e kishte ndërprerë bashkëpunimin. Në përpjekje për ta fituar punën, Arbanit iu desh të marrë edhe kategorinë C të patentë shoferit, pasi i ishte thënë se procedurat do të përshpejtoheshin.

Në situatë të njëjtë ishte edhe Destan Ahmeti nga Dragashi, i cili kishte kaluar në procedurat e njëjta me grupin, të cilit iu premtua puna.

Edhe Fisnik Meholli nga Mitrovica paralajmëron se do ta lajmërojë rastin në Policinë e Kosovës nëse paratë nuk do t’i kthehen.

Si shofer jo, por si termo-instalues aplikoi Florent Kelmendi nga Lipjani. Ai, më 30 tetor të 2020-shit, nënshkroi kontratë me kompaninë ndërmjetësuese në fjalë, por nuk arriti të shkonte në Gjermani.

Lexo edhe:  Shefqet Krasniqi për BBVK: Mos m’i përmen ata dreqën t’larëm

Florentit as 500 eurot nuk iu kthyen asnjëherë edhe pse thotë që iu premtuan në rast të mosrealizimit të punësimit.

Sidoqoftë, në adresë të Kiks Kosovës kanë ardhur dhjetëra mesazhe që flasin për mashtrimin e njëjtë nga e njëjta kompani, por shumica prej tyre kërkonin që të mbesin anonim.