Detaje nga vrasja në tentativë në Pejë, këta janë të dyshuarit që u përfshinë në rrahje

Një përleshje e përgjakshme ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Pejës, ku si pasojë kanë mbetur të therur me thikë dy persona, ndërsa dy të tjerë kanë marrë lëndime më të lehta trupore. Lidhur me rastin janë arrestuar dhe ndaluar dy persona, kurse dy të tjerë po vazhdojnë trajtimin në spital, njëri në Pejë e tjetri në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë babai Sami Qekudhe dy djemtë e tij, Frashër e Besnik Qeku, si dhe Durim Luci, i cili dyshohet se filloi të gjithë sherrin.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja? Sinjali sjellë detajet ekskluzive

53-vjeçari Sami Qeku bashkë me dy djemtë e tij, Frashërin 27-vjeçar dhe Besnikun 23-vjeçar, po qëndronin në lokalin e tyre shisha bar në qendrën e qytetit të Pejës.

Sipas informacioneve të para, për motive ende të panjohura atje kishte shkuar 31-vjeçari Durim Luci, i cili kishte sulmuar me thikë Samiun, duke i shkaktuar atij lëndime trupore në kraharor.

E gjithë kjo kishte bërë që të reagojnë edhe djemtë e Samiut të cilët kishin filluar përleshjen me Lucin dhe si pasojë, gjatë rrahjes ishte therur me thikë edhe Besniku.

Përpos grushteve e thikës, u përdorën edhe mjete të tjera si shishe qelqi e karrige, prej nga edhe dyshohet se i ka marrë plagët serioze, i dyshuari Luci.

Katër të dyshuarit janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, ku pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, Besniku 23-vjeçar është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku edhe po vazhdon trajtimin.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe kanë gjetur e sekuestruar thikën që dyshohet se u përdor në rast.

Lexo edhe:  Mërgimtarët e një fshati të Skënderajt bëjnë organizim për t'u takuar e lidhur me vendlindjen

Pas pranimit të tretmanit mjekësor, në prangat e Policisë kanë përfunduar Frashër Qeku dhe Durim Luci dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.