Detaje nga sulmi ndaj policëve në Prishtinë, ky është i dyshuari që u ndalua për 48 orë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku është arrestuar një person.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Lulzim Zuka, 46-vjeçar, i cili ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një njësi policore ka intervenuar dje në lagjen Dardania në Prishtinë, ku kanë hasur në të dyshuarin Lulzim Zuka dhe dy të dyshuarit tjerë, A.Z dhe G.S.

Zuka i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe të substancave narkotike, ka pasur sjellje agresive ndaj zyrtarëve policorë dhe të njëjtëve më pas u ka shkaktuar lëndime trupore me një gotë qelqi të thyer. Zyrtarët policorë kanë arritur që ta fusin nën kontroll të dyshuarin dhe i njëjti është arrestuar.

Po ashtu, dy të dyshuarit tjerë kanë penguar zyrtarët policorë që të kryejnë detyrën e tyre dhe si rrjedhojë të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërkohë që policët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari Zuka të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, ndërsa dy të dyshuarit tjerë do të hetohen në liri për veprën penale ‘Pengim i personi zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Lexo edhe:  E bënë shef shërbimi pa licencë logopedi – Iljasa Fazliu kalonte kohën në QKUK duke i rënë fyllit

Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që njëri nga të dyshuarit nën ndikim të substancave narkotike ka sulmuar fizikisht viktimat meshkuj kosovarë zyrtarë policor, ndërsa dy të dyshuarit tjerë kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrës zyrtare.  Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit  pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.