Punëtori i ‘Master Project’ në Prizren lëndon rëndë këmbën, arrestohet pronari i kompanisë

Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. Kështu e pësoi dje edhe një punëtor i kompanisë ‘Master Project’ në Prizren, i cili bashkë me kolegun e tij është dërguar me urgjencë në spital.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 40-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sipas burimeve, viktima ka marrë lëndime të rënda në këmbë dhe i njëjti po vazhdon trajtimin nën përkujdesjen e stafit mjekësor.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Njëri nga pronarët e kompanisë ‘Master Project’ është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të caktohet masa e ndalimit policor.

Ndërkohë Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kompaninë ‘Master Project’

“Vetëm muj me ju thanë që për momentin punëtori është në gjendje të mirë. Nuk ka kurrfar rrezikshmërie. Është jashtë rrezikut. Ndërsa me ata se çka ka ndodh janë duke u marrë hetuesia. Lëndime trupore ka”, thanë nga kompania.

E për arrestimin e pronarit të ‘Master Project’, ata thanë se është bërë gabimisht, por që besojnë në drejtësi.

“Ata e kanë arrestu gabimisht. U kon dashtë me u arrestu një person tjetër, mbikëçyrësi edhe arkitekti i punishtes aty. Ky ka qenë vetëm punëkryesi. Këta e kanë arrestu këtë pronarin e kompanisë, edhe pse s’u dashtë me arrestu këta. Ata [mbikëçyrësi dhe arkitekit] janë intervistu para këtij pronari të firmës. Edhe ata ia kanë gjujtë barrën këtij pronarit të kompanisë. Policia u kon dashtë me arrestu mbikëçyrësin edhe arkitektin. E kanë arrestu njerin të pafajshëm, kanë dhanë deklaratë të gabushme”, thanë nga ‘Master Project’ për Sinjalin.

Lexo edhe:  Haradinaj: Kurti është mashtrues, po i shkakton pasoja vendit

Sinjali ka provuar që të marrë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të viktimës, mirëpo ende nuk kanë dhënë detaje.