Raportimet se forcat serbe hynë brenda territorit të Kosovës, Policia: Janë patrullimet e përbashkëta KFOR-autoritetet e Serbisë

Sot gjatë ditës në mediat vendor u publikua një fotografi që paraqet disa ushtarë në afërsi të fshatit Bervnik të Komunës së Podujevës.

Sipas një qytetari, dyshohej për ushtarë serbë qe kanë prekur territorin e Republikës së Kosovës.

Sinjali ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të pranuar një informacion më të detajuar për fotografinë e publikuar në media.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se me të pranuar informacionin, Policia e Kosovës është vënë në lëvizje për të identifikuar se me çfarë rasti ka të bëjë.

“Informacion zyrtar, Lidhur me informacionin e publikuar në disa media/portale, ku thuhej se një qytetar ka parë forcat serbe se kanë hyrë në territorin e Kosovës diku në zonën kufitare, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion“, tha ai.

Sipas Policisë së Kosovës bëhet fjalë për patrullimet e përbashkëta KFOR-autoritetet e Serbisë.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siq realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të siguris dhe parandalim të krimit trans kufitar”, tha për Gazetën Sinjali, Baki Kelani.

Lexo edhe:  Tensionet në veri, nis protesta në Tiranë në mbështetje të Kosovës