Çifti përfundon në gjyq: Burri po më detyron ta barti tokën në emër të kunatit

Ndonëse kanë kaluar tri dekada që kur u martua, Drita Kaçandolli-Gjonbalaj po e vazhdon betejën e saj ligjore për të marrë hisen që i takon nga pasuria e bashkëshortit të saj, Mujë Gjonbalajt.

Përveç vështirësive që Drita Kaçandolli-Gjonbalaj kaloi, siç thotë ajo, për shkak të mentalitetit të familjes së burrit të saj, probleme ajo me të shoqin pati edhe me të ardhurat financiare.

Për t’i tejkaluar këto vështirësi në një mënyrë, pak vite pasi u martuan, Drita dhe Muja shitën 3 ari prej tokës së tyre në Matiqan, e cila gjithsej ishte 8 ari.

Me atë shitje ata ndërtuan një shtëpi të vogël në një pronë tjetër.

Vite më vonë, diku rreth vitit 2016, personi i cili atë kohë kishte blerë atë pjesë toke, kërkon që ajo të kalojë në emrin e tij.

Në këtë situatë, Drita kupton që pa nënshkrimin e saj si bashkëshorte asnjë centimetër tokë nuk mund të kalojë në emër të dikujt tjetër.

Me të marrë këtë informatë, Drita filloi të insistojë tek i shoqi, që pjesën e tokës të cilën ai do të ia dhurojë vëllait të tij, nuk do e nënshkruajë asnjëherë.

Ky insistim i saj u përcoll me presion të vazhdueshëm nga i shoqi.

Duke mos qenë e gatshme që të e durojë më tutje këtë presion të cilin Drita thotë të ia ushtronte i shoqi, rastin ajo e paraqet në Polici.

Për të vërtetuar deklaratat e Dritës, e cila thotë se po pranon dhunë psikike nga i shoqi, Gjykata kërkon një ekzaminim psikologjik të gjendjes së saj.

Lexo edhe:  Publikohen pamje të reja të arrestimit të kriminelit serb në veri të vendit – policët kosovarë dëgjohen duke komunikuar mes vete