Çifti gjerman tmerrohet nga pushimi në Durrës

Melanie Zeeb dhe Michael Burger janë një çift nga Gjermania që kishin rezervuar pushim 12-ditor në Shqipëri. Mirëpo, në vend të një plazhi privat dhe një hoteli ëndrrash në Durrës – i priti një mal me plehra dhe shumë telashe.

Për RTL-in, çifti vendosi të ndajë përvojën e tyre që ata pretendojnë se ishte e tmerrshme. Ata zbuluan se donin të provonin diçka ndryshe, larg pikave tipike turistike, ndaj vendosën të udhëtonin drejt Shqipërisë.

“Shoferi i taksisë na çoi në vendndodhje dhe thjesht tha: ‘Shpresoj që hoteli juaj të mos jetë në këtë zonë’ “, rrëfen Melanie.

Paralajmërimi i taksistit u bë shumë shpejt i vërtetë, “hoteli është i rrethuar nga mbeturina dhe era e keqe”. Në vend që të pushonin në plazhin privat të reklamuar në përshkrimin e hotelit, turistëve iu desh të kalonin nëpër mbeturina. Mungonte edhe palestra, pishinat e brendshme dhe të jashtme – të cilat çifti thotë se ishin në ofertën e hotelit.

Në vend që të kompensonte turistët për të gjitha këto shqetësime, hoteli madje kërkoi një pagesë shtesë. 25 euro në ditë për person, pra 550 euro të tjera në total – gjoja për shërbime si rryma, uji dhe shfrytëzimi i dhomës.

“Nëse nuk i paguanim, ata na kërcënuan se do të na dëbojnë”, vijon rrëfimin Melanie.

Kur janë në telashe, turistët gjermanë i drejtohen ekipit të shpëtimit të televizionit RTL, i cili ndihmon turistët që luftojnë me vështirësitë e udhëtimit të të gjitha llojeve. Televizioni ka kontaktuar kompaninë me të cilën është rezervuar udhëtimi dhe u është konfirmuar se 25 eurot e lartpërmendura tashmë janë përfshirë në çmim.

Melanie dhe Michael thjesht donin të shkonin në shtëpi, por atyre u doli një problem tjetër – nuk kishte fluturim direkt për në Berlin për shkak të fluksit të madh. Megjithatë, falë ndërhyrjes së RTL, gjithçka u zgjidh. Ata gjetën një fluturim për në Frankfurt dhe u larguan nga Shqipëria me mendime negative.

Lexo edhe:  Prekëse: Lotët dhe gëzimi i djalit kur nëna nxirret e gjallë nga rrënojat