Çerdhen’ për shitblerje të narkotikëve e kamuflonin me lokal për ‘Sony Playsation’ – Këta janë tre të rinjtë që u arrestuan në Mitrovicë

Mbrëmjen e kaluar Policia e Kosovës ka kryer një aksion brenda një lokali në Lagjen e Muhaxherëve në Shipol të Mitrovicës, pasi kishte dyshime se ky lokacion po shfrytëzohej për veprimtari të jashtëligjshme, siç është shitblerja e substancave narkotike, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se bastisja është kryer në një lokal për lojëra elektronike me ‘Sony Playsation’, ku kanë gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të llojit marihuanë, mbi 300 euro para të gatshme, peshore digjitale dhe telefon.

Sinjali mëson ekskluzivisht se ky aksion ka rezultuar me arrestimin e tre të rinjve: Erion Haxhiu 20-vjeçar, Halil Jashari 20-vjeçar dhe Arbër Thaçi 24-vjeçar.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë konfiskuar 86.6 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Më poshtë mund të gjeni detajet ekskluzive lidhur me bastisjen

Mbrëmë rreth orës 21:20, njësitet policore kanë hyrë brenda lokalit të cilin e kishin cak, ku kanë hasur në të dyshuarin Arbër Thaçi, i cili me të parë policët ka tentuar që të asgjësojë substancën e dyshuar narkotike, të cilës ia ka vënë flakën. Por intervenimi i Policisë ishte i shpejtë, me ç’rast u arrit që substanca e dyshuar e llojit marihuanë u sekuestrua si provë.

Po ashtu në lokal kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një peshore digjitale të cilën e ka përdorur i dyshuari si dhe telefonin e tij iPhone 12 Pro Max.

Në të njëjtin vend është ndalur vetura e tipit VW Golf IV, brenda së cilës ndodheshin dy personat tjerë që u arrestuan, Halil Jashari dhe Erion Haxhiu, të cilët dyshohet se kanë blerë substanca narkotike nga i dyshuari tjetër, Arbër Thaçi.

Lexo edhe:  Haradinaj: Kurti e ka shansin e fundit të bëj një punë të mirë për Kosovën, të japë dorëheqje

Edhe Jashari e Haxhiu kishin tentuar që të humbin provat që dëshmojnë për posedim të narkotikëve, duke hedhur në tokë qeset me marihuanë.

Pas arrestimit, tre të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me vendim të prokurorit ndaj Arbër Thaçit të iniciohet rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’. Ndërsa Jashari dhe Haxhiu do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i substancave narkotike’.

Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që tre të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.