Burri në Mitrovicë i shkon te banesa ish-gruas, i shkakton telashe pasi s’e la të hyjë

Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Në shumicën prej tyre viktima janë gratë e vajzat, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike edhe nga ish-bashkëshortët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe para dy ditësh, në Mitrovicë të Veriut, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-gruas së tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se në gjendje të dehur i ka shkuar te banesa e saj, duke e sharë e ofenduar. Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari ka kërkuar të hyjë brenda, por meqë viktima s’e ka lejuar ai ka vazhduar me britma e fyerje.

Përballë kësaj situate, gruaja e frikësuar ka njoftuar Policinë dhe e ka denoncuar të dyshuarin, teksa ka kërkuar edhe urdhër të mbrojtjes, për të parandaluar më të keqen.

Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale “dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Arrestohet i dyshuari që vrau me thikë babanë e bashkëshortes në Prishtinë