Burri në Ferizaj e rrah gruan që s’ia çiti një gotë ujë, ajo e denoncon në Polici

Motivet e dhunës që përjetojnë gratë në familjet kosovare janë nga më të ndryshmet, por në shumicën e rasteve janë të ulëta dhe mjaft banale.

Jo rrallëherë ka ndodhur që ngjarje të tilla të përfundojnë me fatalitet. E për të mos ndodhur më e keqja, një grua nga Ferizaj që u sulmua nga bashkëshorti i saj për një gotë ujë, ka vendosur ta denoncojë rastin në Polici.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në një familje në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’ në Ferizaj, ku derisa kishin qenë duke qëndruar së bashku në shtëpi, i dyshuari ka kërkuar një gotë ujë për të pirë.

Në shenjë revolte që kërkesën e tij e kishte plotësuar vajza e tij dhe jo bashkëshortja, ai dyshohet se e ka sulmuar fizikisht 36-vjeçaren.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe para hetuesve ka mohuar të ketë goditur viktimën, por ka pohuar se vetëm e ka shtyrë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Në momentin e tërmetit në Turqi, infermieret vrapuan për të shpëtuar foshnjat në inkubatorë