Burri i jep dajak gruas para syve të fëmijëve në Fushë Kosovë, ia merr edhe telefonin për të mos njoftuar policinë

Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë. Ato shpesh nuk guxojnë dhe nuk lejohen t’i denoncojnë ata në Polici nga frika. Kështu ka ndodhur edhe dje në një familje në Fushë Kosovë.

Një burrë ka sulmuar bashkëshorten e tij në sy të fëmijëve dhe nuk e ka lejuar ta njoftojë Policinë. Për të mos mbaruar me kaq, ai ka sulmuar edhe djalin e tyre.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e pasdites, kur Policia ka marrë informacionin se i dyshuari A.P., po ushtron dhunë në familje. Posa zyrtarët policorë janë aktivizuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes është kuptuar se para dy ditësh, pas një mosmarrëveshje i dyshuari e kishte rrahur me grushte bashkëshorten dhe jo vetëm. Gruaja ka deklaruar se ai ia kishte marrë edhe telefonin, në mënyrë që t’ia ndalojë ta thërras Policinë për të kërkuar ndihmë.

Ndërkohë një ditë më pas, i dyshuari 35-vjeçar, ka ushtruar dhunë fizike edhe ndaj djalit të tyre 13-vjeçar, duke e grushtuar e shqelmuar pasi i kishte kërkuar të holla për blerjen e pajisjeve që i duhen për shkollë.

Ai është shoqëruar menjëherë në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit në lidhje me rastet për të cilat po dyshohet, ndërkohë që ende nuk dihet motivi i dhunës që ka shkaktuar në familje.

Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe të nisin hetimet ndaj tij, për veprën penale “dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Bedri Krasniqi rrëfen konfliktin fizik në Mitrovicë mes Agron Sylejmanit dhe Bekim Shytit: “U nxorën armët, unë ia kam kapur armën”