Babai keqtrajton vajzën e tij 14-vjeçare në Podujevë, e mitura i dërgon në Polici pamjet e dhunës

Jo rrallëherë fëmijët i denoncojnë prindërit e tyre për keqtrajtim. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, mbrëmë në Podujevë, ka rënë në pranga të Policisë një 43-vjeçar.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i dyshuari (emër i njohur për redaksinë, që nuk do të publikohet me qëllim të ruajtjes së identitetit të viktimës së mitur) u arrestua pasi dikush raportoi në Polici se ai po ushtron dhunë ndaj fëmijës së tij, vajzës 14-vjeçare, në shtëpinë e tyre në rrugën “Qëndresa”.

Posa Policia ka marrë informacionin, njësitet policore kanë kapur dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin dhe vajzën, e cila ka dërguar edhe pamje të dhunës që ia kishte shkaktuar babai.

Dy palët janë intervistuar para hetuesve dhe kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin. Në bazë të informacioneve të para dhe dëshmive të mbledhura, Prokurori i Shtetit ka vendosur që i dyshuari duhet të ndalohet për 48 orë.

Me vendim të tij, e bija dhe fëmijët e tjerë, të cilët ishin nën përkundjen e të dyshuarit janë dërguar në strehimore, aty ku ndihen më të sigurt.

Ndaj të ndaluarit është iniciuar rasti për “keqtrajtim të fëmijës”, vepër kjo e sanksionuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili keqtrajton fëmijën e tillë duke përdorur masa fizike apo mendore ose shkel detyrimin e tij për përkujdesje dhe edukim të fëmijës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”

Lexo edhe:  Shqiptari Liridon B. gjendet i vdekur në një hekurudhë në Gjermani