Sherri nisi në një lokal në Lipjan – Si ndodhi vrasja e 22 vjeçarit

Brenda një lokali në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan, të premten rreth mesnatës, filloi një përleshje.

Konflikti nisi fillimisht si rrahje, por u shkrep edhe armë zjarri, nga ku një person mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën.

Të shtunën deri pasdite, sa televizioni qëndroi në Lipjan, lokali, ku dyshohet se filloi zënka, ishte i mbyllur.

Dy të lënduarit dhe 22-vjeçari që vdiq në spital, ishin dërguar për trajtim në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Drejtori i kësaj Klinike, Naser Syla, tha përmes telefonit se njëri nga të plagosurit, që ishte nga Podujeva, është lëshuar për në shtëpi pas trajtimit në Klinikën e Ortopedisë.

Kurse tjetri, që Klani merr vesh se është djali i axhës i të vdekurit, është duke u trajtuar aktualisht në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.

Televizioni ka kontaktuar me familjarët e tyre, por që nuk kanë dashur të deklarohen asgjë, vetëm se kanë potencuar se nuk i njihnin dy të dyshuarit e as nuk kishin pasur probleme paraprakisht me ta.

Klan Kosova jozyrtarisht merr vesh se njëri nga të dyshuarit gjatë përleshjes kishte nxjerrë armën e zjarrit që e mbante me vete dhe kishte shtënë drejt viktimave.

Pastaj, bashkë me tjetrin ishin larguar në drejtim të panjohur, derisa në kërkim të tyre është policia.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduskion, ndërsa rasti është iniciuar “Vrasje e rëndë”. Deklaroi Laureta Ulaj, Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

I riu nga Lipjani u varros të shtunën në fshatin Tërbufc.

Lexo edhe:  Tentim grabitje në Viva Fresh në Podujevë, roja ua zë pritën hajnave të armatosur