Arrestohet një person në Pejë, dyshohet se përmes sigurimit kanosi dhe ngacmoi Ekrem Llukën

Për dy ditë radhazi, në korporatën ‘Dukagjini’ në rrugën ‘Ismail Qemajli’ në Pejë kanë ndodhur dy incidente, që eskaluan në ngacmime e kërcënime dhe lidhen direkt me emrin e pronarit të kësaj kompanie, Ekrem Llukën. Në incidentin që ndodhi në këtë korporatë është i përfshirë një qytetar, i cili ra në prangat e Policisë pas denoncimit nga ana e sigurimit.

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia, ndërkohë që burimet brenda Prokurorisë kanë njoftuar se motivi i incidentit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje për një pronë.

Gjithçka dyshohet se ka nisur më 2 shtator, kur qytetari i dyshuar, me inicialet V.K., shkoi në kompaninë e Llukës dhe u ballafaqua me punëtorët e tij. Rasti u zbulua pas denoncimit nga punëtorët e sigurimit, të cilët raportuan në Polici ballafaqimin me të dyshuarin.

Bazuar në dëshmitë e tyre, i dyshuari fillimisht kishte shkuar me veturën e tij deri te kompania dhe aty është takuar me njërin nga punëtorët e sigurimit, nga i cili kishte kërkuar një numër kontaktues të Llukës me arsyetimin se duhet të bisedojë me të për një pronë.

Në pamundësi për të marrë numrin, sigurimi ka deklaruar para zyrtarëve policorë, se i dyshuari e kishte kërcënuar, duke i thënë se “e kanë paditur për një pronë”, e më pas dyshohet se ka vazhduar me fyerje. Ky denoncim aktivizoi Policinë e Prokurorinë, me ç’rast ndaj të dyshuarit u iniciua rasti për veprën penale “Kanosje”.

Por nuk mbaroi me kaq. Burimet e njëjta thonë se edhe gjatë ditës së djeshme, i njëjti qytetar shkoi sërish në kompaninë Dukagjini, për t’u përballur prapë me sigurimin. Siç mëson Sinjali, as këtë herë ai nuk arriti të takohej e as të bie në kontakt me Ekrem Llukën dhe u largua nga kompania.

Lexo edhe:  Ia kishte lënë amanet Kombëtaren, Nedim Bajrami shkoi te varri i gjyshit me fanellën e Shqipërisë: Gjysh, zgjodha SHQIPËRINË

Këto dy raste të denoncuara bënë që Prokurori i Shtetit të urdhërojë arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit, ndaj të cilit është iniciuar rast edhe për ngacmim, ndërkohë që Lluka është cilësuar nga Prokurori si viktimë.

Në kuadër të hetimit të këtij rasti, burimet thonë se Policia ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, që do të dëshmojnë gjatë procesit të hetimit, kundër të dyshuarit.

Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia rajonale në Pejë dhe kanë bërë të ditur se i dyshuari ndodhet në ndalim policor për 48 orë dhe veprimet tjera pritet të ndërmerren nga Prokuroria. Sinjali ka dërguar edhe pyetje në adresë të kompanisë, për të marrë versionin e tyre në lidhje me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.