Arrestohet një burrë pasi kërcënoi gruan: Kam me t’vra

Dhuna në familje ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Një rast i tillë përfundoi tragjikisht mbrëmë, ku një grua shtatzënë është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, i cili prej kohës kur u bënë bashkë kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Ngjarje të tilla raportohen pothuajse çdo ditë në vendin tonë dhe numri i tyre po shkon duke u rritur, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i frikshëm është raportuar edhe mbrëmë në një familje në Veternik të Prishtinës, ku një burrë është arrestuar nën dyshimet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Rasti është denoncuar pikërisht mbrëmë, në kohën kur u vra gruaja shtatzënë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pas raportimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku viktima ka deklaruar se burri i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, si dhe e ka kërcënuar.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, burri dyshohet ta ketë kanosur seriozisht gruan, duke i thënë se “Kam me t’vra ty edhe familjen tënde”. Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmë për shkak të frikës nga burri i saj.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për “Dhunë në familje”, teksa viktima është udhëzuar për urdhër mbrojtës të Gjykatës.

 

Lexo edhe:  Rrjeti i kthehet keq Anita Haradinajt pas ofendimit ndaj Ganiut