Seks me pagesë: Arrestohet gruaja 44-vjeçare dhe një 30-vjeçar të dyshuar për prostitucion në Kosovë

Prostitucioni po vazhdon të jetë një fenomen mjaft shqetësues dhe një sfidë për institucionet në Kosovë. Në vazhdimësi zbulohen raste ku janë të përfshirë të rinjtë që dyshohen për marrje me prostitucion, por edhe personat në moshë të shtyrë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se për një rast të tillë, Policia ka arrestuar mbrëmë dy persona që dyshohet se janë marrë me prostitucion në një motel në magjistralen Ferizaj – Kaçanik.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një grua 44-vjeçare dhe një 30-vjeçar, të cilët u kapën nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ferizaj.

Sipas informacioneve të para, të dyshuarit kanë kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të pagesës, të shtunën në orët e mbrëmjes, kur edhe u zbuluan nga Policia.

Pas arrestimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Me t’u përfunduar procedurat policore, rasti është proceduar në Departamentin për Kundërvajtje në Gjykatën kompetente.

Lexo edhe:  Pronari i “Shell Kosova” Lulëzim Kryeziu ka lënë një letër para se t’i jap fund jetës