Arrestohet burri në Gjilan, po bashkëjetonte me një vajzë të mitur

Bashkëjetesa me vajza të mitura është shndërruar në dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku shpesh raportohen raste kur vajzat e moshave të vogla krijojnë raporte të afërta me persona të moshave madhore.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku një burrë është arrestuar nga Policia, nën dyshimet se ka bashkëjetuar me një vajzë të moshës 16-vjeçare.

Sinjali mëson se 35-vjeçari ishte ftuar disa herë për intervistim në stacion të Policisë, por i njëjti kishte refuzuar që të paraqitet duke mos iu përgjigjur ftesave. Kjo ka bërë që njësitë policore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me urdhër të Gjykatës të kryejnë bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë, i dyshuari është gjetur i fshehur në nënkulmin e shtëpisë së tij e më pas është arrestuar.

35-vjeçari është shoqëruar në stacion ku është intervistuar nga hetuesit policorë dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Bashkëjetesa jashtëmartesore me personin nën 16-vjeç’.

Lexo edhe:  Mërgimtari shpërthen në lot: Isha i varfër, s’kisha asgjë kur e lëshova Kosovën