Ia vuri thikën në fyt dhe ia kërkoi 100 euro, ky është i dyshuari që tentoi ta grabisë një person në Ferizaj

Një person është arrestuar dje rreth orës 15:00 në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’ në Ferizaj, pasi dyshohet se ka tentuar që nën kërcënimin e armës ta grabisë një person. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i dyshuari është Kadri Bajrami, 34-vjeçar.

Bajrami dyshohet se kishte shkuar në lokalin e viktimës, ku kishte nxjerrë thikën me të cilën e kërcënoi duke ia vënë afër qafës e duke kërkuar nga ai që t’ia japë 100 euro para të gatshme.

Përballë kësaj situate, viktima është detyruar që të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kapur në flagrancë të dyshuarin.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisu hetimet ndaj Bajramit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje në tentativë’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Aksidenti tragjik me dy viktima dhe një të plagosur në Milot, trafikndarësja ndan në dysh makinën e të rinjve