Ambasadorët në aktivitete partiake- Alarm për politizim të diplomacisë dhe manipulim të votës së diasporës
Edhe pse legjislacioni e ndalon, ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita Luci ka shmangur kufizimet ligjore të shtetit të saj duke u përfshirë në aktivitete partiake dhe elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një ngjarje zgjedhore të mbajtur nga LVV-ja në krye me Albin Kurtin, ajo është pozicionuar në rresht të parë, duke u paraqitur hapur para mbështetësve të partisë.
Gjatë një takimi të organizuar në Oslo, Luci shfaqet duke bashkëvepruar lirshëm me elektoratin e VV-së.
Kjo bie ndesh me Nenin 32, pika 1.5 të Ligjit për Shërbyesit e Jashtëm, që ua ndalon diplomatëve përfshirë ambasadorëve, çdo lloj angazhimi në aktivitete partiake gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm.
Me përfshirjen e ambasadorëve në fushata elektorale nuk është pajtuar ish-ambasadori i Kosovës, Blerim Canaj.
Canaj ka reaguar ndaj përfshirjes së stafit diplomatik në aktivitete zgjedhore, duke thënë se ligji ua ndalon.
“Një ligj është i cili e ndalon për krejt stafin diplomatik me marr pjesë në fushata”, thotë ai.
Ai kujtoi se edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara disa misione diplomatike janë shndërruar në qendra të ngjashme me shtabet e Vetëvendosjes.
“Nga zgjedhjet e kaluara e dimë që misionet diplomatike janë bërë sikur të ishin qendra të LVV-së apo shtabe të organizuara. Kjo nuk lenë hije të mirë i bënë dëm shtetit”, ka thënë Canaj për “Front Online”.
Eksperti i politikës së jashtme, Dritëro Arifi në një prononcim për “Front Online” ka kritikuar ashpër përfshirjen e ambasadorëve në fushata partiake, duke e quajtur të paetikë dhe në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare.
“Nuk është etike që një ambasador të merr pjesë në fushata pavarësisht çfarë bindje politike ka. Ja ndalon edhe rregullorja e punës, norma rregulla ndërkombëtarë që ambasadorët nuk duhet të përzihen në fushata të partive politike”, u shpreh ai.
Arifi tha se çdo devijim rrezikon të dëmtojë integritetin e procesit zgjedhor, veçanërisht kur votimi kryhet në përfaqësitë diplomatike.
“E diskrediton komplet procesin zgjedhor në momentin që zgjedhjet mbahen në ato ambasada. Kjo është një katrahurë e një marrëzie politike që po ndodh”, deklaroi Arifi.
Anëtari i AAK-së dhe analisti Arton Demhasaj ka ngritur shqetësime serioze lidhur me besueshmërinë e votimeve që mbahen në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Ai tha se diplomatët përfshirë ambasadorët janë të obliguar të përfaqësojnë shtetin e jo të marrin pjesë në aktivitete elektorale.
“Vet fakti që është lejuar me u mbajt votimet në përfaqësi diplomatike në anën tjetër përfaqësuesit diplomatik të Kosovës qoftë ambasador ose të rangut më të ulët që janë të thirrur me përfaqësuar Kosovën e jo me mbajt pjesë ne aktivitete elektorale të partive politike”, tha Demhasaj.
Sipas Demhasajt, fakti që disa prej tyre po përfshihen në këto aktivitete ngre dyshime të mëdha.
“Kjo është tregues i madh që gjasat janë maksimale që vota në përfaqësi diplomatike me u manipuluar nga punëtorët e përfaqësuesve diplomatik”, ka theksuar ai.

