Alarmon shefi i EULEX-it: Situata në veri mund të përkeqësohet lehtë

Çështja e sigurisë në veriun e Kosovës po përmendet gjithmonë e më shpesh pas sulmit të armatosur në Banjskë, dhe mes paralajmërimeve të autoriteteve në Prishtinë për përsëritje të skenarit të dhunës.

Prania e ndërkombëtarëve atje, KFOR-it dhe EULEX-it, është garancia që zbut frikën, edhe pse shqetësimet mbeten.

Shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje, Giovanni Pietro Barbano, tha se situata aktuale në veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë është e qetë, “por ende e brishtë”.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjatë muajit shtator, me sulmin e rëndë në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku”, tha ai në një intervistë për A2cnn.

Duke folur për rastin e Banjskës, ai tha se EULEX-i nuk ka mandat të kryejë hetime që nga viti 2018.

“Mandati i EULEX-it nuk përfshin, nuk parasheh asnjë mandat ekzekutiv. Pra, përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës. EULEX-i po monitoron që hetimet e kryera nga Policia e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës të kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në kryerjen e këtij monitorimi. EULEX-i gjithashtu garanton që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë, duke përfshirë aktivitetet e kryera nga policia, por edhe në aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët dhe në rast të paraburgimit nga sistemi korrektues në Kosovës”, u shpreh Barbano.

Ai tha se misioni të cilin ai e drejton ka qenë i pranishëm në Banjskë gjatë sulmit, por edhe për të monitoruar hetimet për rastin.

Lexo edhe:  “Do t’ia prishë krejt llogaritë Joshuas, do ta trondis botën”, boksieri shqiptar me fjalë të mëdha pas zyrtarizimit të meçit

“Aktivitetet tona monitoruese shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë. Pra, që nga aktivitetet e kryera nga policia e Kosovës në terren e deri te aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe sistemi korrektues, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ne jo vetëm monitorojmë por edhe këshillojmë në fusha të ndryshme; mbështesim gjithashtu zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse. Ne ishim të pranishëm në Banjskë gjatë sulmit. Ishim shumë afër zonës së manastirit dhe monitoruam aktivitetet e policisë së Kosovës. Menaxhuam hetimet për pelegrinët, shoqëruam ata që ishin të pranishëm në manastir dhe i përcollëm në pikat e përbashkëta të kalimit pasi përfunduan të gjitha operacionet”, deklaroi ai.