Aksident në Prishtinë, shoferi godet këmbësoren dhe ikë nga vendi i ngjarjes

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Nuk janë të rralla as rastet kur veturat godasin këmbësorët, qoftë në vendkalime apo edhe në vende të tjera.

Kështu ka ndodhur të hënën, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, ku një veturë e ka goditur një këmbësore.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konifrmuar për Sinjalin se këmbësorja ka pësuar lëndime trupore.

“Rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësore dhe një automjet.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që ngasësi i i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes.

Zyrtarët nga njësiti i trafikut janë duke punuar në drejtim të identifikimit të vozitësit të veturës dhe hetimit e rastit”, tha Ahmeti.

Lexo edhe:  Arrestohet një person në Jarinje, dyshohet për krim të organizuar