I dyshuari për gjuajtje me granatë në kafiterinë “Gusto” në Mitrovicë arratiset si në filma, u ikë policëve para syve

Me datë 09.06.2023, kafiteria “Gusto” e cila ndodhet pranë sheshit “Adem Jashari” në Mitrovicë u sulmua me një granatë dore, ndërsa të dyshuarit u arrestuan 2 muaj më vonë, përkatësisht me datë 23 gusht.

Burimet e vezhguesi.com tregojnë që të dyshuarit për këtë sulm janë Arjan Delijaj, 25-vjeçar dhe Gzuart Hisenaj 20 vjeçar, të cilët ishin në ndalim policor për 48 orë pas arrestimit.

Pas ndalimit policor të njejtit dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe të dyshuarve i’u shqiptua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Të dyshuarit do të duhej që paraburgimin t’a mbanin në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, por quditërisht vetëm njëri nga të dyshuarit është në paraburgim, sepse tjetri sipas burimeve të vezhguesit, i’u iku policëve para syve sikurse në filma, me pranga në duar dhe i njejti gjendet ende në arrati.

Lajmin se njëri nga të dyshuarit është në arrati, e konfirmoi Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Ilmi Prekazi, i cili tha se “është e vërtetë që njëri nga të dyshuarit për sulm me granatë dore në kafiterin “Gusto” ka ikë dhe ende është në arrati”.

Vezhguesi.com merr vesh se personi që i’u iku policëve në Gjilan është Arjan Delijaj.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Ilmi Prekazi, gjithashtu për vezhguesi.com konfirmoi se dy nga zyrtarët policor që ishin përgjegjës për sigurimin dhe mbikqyrjen e të dyshuarve janë nën hetime të brendshme në polici.

Ndryshe të apostrofuarit janë duke u akuzuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Vezhguesicom

Lexo edhe:  Aksident në Rrugën e Kombit, plagoset familja me 5 anëtarë nga Kosova, mes tyre dy fëmijë