A do të nis mësimi këtë javë? MASHT del me njoftim të ri!

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2022/2023.

Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, mësimi do të fillojë më 1 shtator, ndërsa nuk dihet nëse do të nisë në këtë datë për shkak të grevës edhe në sektorin e arsimit. Ndërkohë, njohësit e arsimit thonë se duhet të gjenden forma të tjera sindikale për të shprehur pakënaqësitë.

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë komunale të Arsimit, kanë bërë të ditur se çdo gjë është gati për fillimin e procesit mësimor, përveç në disa shkolla të cilat janë në përfundim të renovimeve.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për Radio Kosovën, se përgatitjet janë bërë që mësimi të fillojë më 1 shtator, ndërsa për grevën e mësimdhënësve ai theksoi se veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim.

“Po, mund të konfirmoj se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor. Natyrisht, Sindikata gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj edhe të drejtat e nxënësve për shkollim. Këto dy çështje duhet të balancohen dhe sigurisht të gjenden forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përveç të pengimit të procesit mësimor”, tha ai.

Për paralajmërimet e grevës në sistemin arsimor, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, tha për Radio Kosovën se cikli i vazhdueshëm i këtyre paralajmërimeve është shpërqendruese për komunitetin arsimor.

“Me Ligjin e ri të Pagave, vërehet një përkushtim institucional karshi profesionit të mësimdhënies dhe rritjes në pagë. Besoj se kjo do të ishte e mjaftueshme që ndërprerja e procesit mësimor të mos konsiderohej, por kërkesat e tjera sindikale të arriheshin të negocioheshin me forma të tjera të reagimit sindikal”, tha ai.

Lexo edhe:  Peci: Siç po e çrrënjosi kancerin në ministri, ashtu do t’ia bëjë edhe me pirjen e duhanit brenda

Ndërkohë, sa u përket teksteve shkollore, ato tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla. Zëvendësministri i Arsimit, Dugagjin Pupovci, ka bërë të ditur se kostoja e teksteve këtë vit është më e lartë, rreth 15 milionë euro, për shkak të faktit se të gjitha janë tekste të reja.