Të hënën fillon mësimi, pezullohet greva
Prej të hënës të gjithë nxënësit e shkollave publike do të nisin mësimet. Kjo pasi Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka vendosur t’i japë fund grevës së nisur më 25 gusht kur fillimisht në u mbyllën kopshtet ndërsa për katër javë rresht nuk u mbajte as mësimi nëpër shkolla fillore e të mesme.
Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, ka thënë se greva ishte e ligjshme dhe mjet i fundit presioni ndaj Qeverisë.
Në ditë më parë shumica e mësimdhënësve vendosen që të ndërpritet greva derisa në janar për t’i dhënë kohë Qeverisë për t’ua përmbushur kërkesat grevistëve për 100 euro shtesë derisa të miratohet Ligji për paga, për funksionalizimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore etj.
“Greva ishte detyrim sindikal. U përdor si mjet i fundit, presion në raport me partnerin social- Qeverinë”, ka thënë Hykolli.
Kryetrari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva pezullohet sot.
“Jemi të detyruar të veprojmë sipas mendimit të shumicës”, ka thënë Jasharaj.
“Greva nuk po mbyllet, po pezullohet deri në janarin e vitit 2023”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka thënë se greva ishte për të realizuar kërkesat e anëtarësisë por Qeveria nuk përmbushi kërkesat e mësimdhënësve.
Qeveria e Kosovës, pas nisjes së grevës, kishte publikuar pakon e ballafaqimit me inflacion, duke premtuar se do t’ua japë të gjithëve nga 50 euro shtesë deri në fund të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hekuran Murati, ministër i Financave, tha të premten se 50 eurot shtesë do të dalin me pagën e muajit tetor derisa jashtë kësaj skeme mbesin të gjithë ata që kanë pagë më të lartë se 1 mijë euro.
Te premten, Qeveria ekzekutoi pagat për sektorin publik por jo edhe për mësimdhënësit. Ministri Murati ka paralajmëruar se do të paguhen vetëm ata që kanë punuar derisa më herët kishte thënë se për grevistët s’ka paga pasi ashtu parashihet me ligj.
Pos mësimdhënësve, në grevë, ishin edhe një pjesë shërbyesve civilë, sidomos nëpër komuna, të cilët i ishin bashkëngjitur grevës së nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti i kishte quajtur sindikalistët të instrumentalizuar nga PAN-i (Qeveria e dikurshme PDK-AAK-NISMA) derisa kishte thënë se do të shihet pas disa javësh se çka fshihet prapa grevave.
Në opozitë, Kryeministri Kurti dhe partia në pushtet, Vetëvendosje, kishin përkrahur protestat dhe grevat e punëtorëve edhe jashtë Kosovës. Madje, Kurti kishte premtuar se do të jetë në krah të tyre kur të marrë pushtetin.
Pagat për shërbyesit civilë dhe administratën publike nuk janë rritur prej një dekade derisa gjyqtarëve dhe prokurorëve u ishin rritur pagat me vendim të Qeverisë së Ramush Haradinajt kur u ishin rritur pagat edhe kabinetit qeveritar. Kur erdhi Qeveria Kurti I vendimi ishte shfuqizuar për anëtarët e kabinetit qeveritar por jo edhe për prokurorët dhe gjyqtarët.
Aktualisht, Projektligji për pagat është në diskutim publik dhe po kundërshtohet nga prokurorët dhe gjykatësit pasi i njëjti ligj ua zvogëlon pagat këtyre dy kategorive. Herën e parë Ligji nuk kishte hyrë në fuqi pasi nuk kishte kaluar filtrat e Gjykatës Kushtetuese.