Kosovari rrah brutalisht gruan e tij, ia fut duart në ‘kaftorr’ dhe e godet me shpatë metali

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dh unës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë.

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur mbrëmë në Vushtrri, ku burri dyshohet se ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij.

Sinjali mëson se 46-vjeçari dyshohet se gjatë një konflikti verbal ka ofenduar me fjalë të rënda viktimën të cilës i ka kërkuar që të shkojë te familja e saj. Situata dyshohet të ketë eskaluar pasi 44-vjeçarja ka dashur të telefonojë familjen e saj dhe aty ka ndërhyrë i dyshuari i cili ia ka futur duart viktimës në stufë dhe më pas e ka goditur me një shpatë të metalit.

Si pasojë e dhunës, gruaja ka marrë lëndime trupore për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe ai është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

 

 

 

Lexo edhe:  Kurti shtroi iftar për myftiun Tërnava