41-vjeçarja kosovare u gjet e vdekur në Zvicër, arrestohet burri i saj, dyshohet për vrasje

Të dielën, një grua është gjetur e vdekur në banesën e saj në Bergdietikon AG. Policia ka arrestuar një burrë lidhur me rastin, për të cilin prokurori publik supozon se kemi të bëjmë me një vrasje.

Viktima është 41-vjeçarja Shqiponja Isufi, nënë e dy fëmijëve, doktore e ekonomisë dhe pedagoge në Universitetin e St. Gallenit.

Sipas policisë kantonale të Aargaut, qendra e thirrjeve emergjente kishte marrë një raport të dielën në mëngjes se një grua në Bergdietikon ishte mbyllur në banjën e saj dhe nuk u përgjigjej thirrjeve të anëtarëve të familjes, transmeton albinfo.ch. Punonjësit e shpëtimit që mbërritën shpejt thyen derën me shpejtësi, por arritën të gjenin gruan 41-vjeçare vetëm të vdekur.

Hetimet e filluara kanë konstatuar mungesë qartësie rreth situatës. Për këtë arsye është urdhëruar autopsia e trupit. Gjurmët dhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore tregojnë për ndikim të jashtëm.

Si rezultat i hetimeve është arrestuar një 47-vjeçar, shtetas zviceran, shqiptar me prejardhje nga Maqedonia, që ishte bashkëshorti i të ndjerës, shkruan Tagesanzeiger.ch.

Prokuroria publike ka hapur procedurë penale për vrasje me dashje dhe ka kërkuar paraburgim në Gjykatën e Masave të Detyrueshme. Megjithatë, vlen prezumimi i pafajësisë. Rrethanat e sakta dhe prapavija janë ende të paqarta. Ato janë objekt i hetimeve në vazhdim.

Vdekja e hershme e Shqiponja Isufit ka tronditur komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ajo ka qenë shumë e njohur dhe e vlerësuar për shembullin që ka dhënë në këtë komunitet me arritjet e saj në shkollim dhe në shkencë. Për këtë shkruajnë edhe mediat zvicerane që njoftojnë vdekjen e saj, shkruan albinfo.ch. Kështu, Tages Anzeiger, veç tjerash shkruan: “Bëhet fjalë për Shqiponja Isufin, e cila tashmë është portretizuar si një “kosovare model” në gazeta si “Magazin” e “Tages-Anzeiger” apo “NZZ Folio”.

Lexo edhe:  Pamje nga arrestimi i 4 personave në mes të Prishtinës, po dyshohen për vepra të rënda

Ajo ishte e njohur jo vetëm në diasporë, por edhe në Kosovë, për këtë arsye media të ndryshme raportuan për vdekjen e saj. Vetëm dy vjet më parë, Isufi në Ditën e Biznesit të Lihtenshtajnit thoshte: “Prapa çdo gruaje të fortë qëndron një familje edhe më e fortë!” Ajo lavdëronte bashkëshortin e saj që ishte kujdesur për dy djemtë e tyre gjatë bllokimit kur ishin mbyllur shkollat​, në mënyrë që ajo të mund të vazhdonte të punonte…”.