Theret me thikë një i mitur në Prishtinë, Policia e identifikon personin e dyshuar
Mosmarrëveshjet mes të rinjve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit.
Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete. Gjatë konfrontimeve fizike, përpos grushteve shpesh përdoren edhe mjete të mprehta.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku një 17-vjeçar ka mbetur i therur me thikë, pasi fillimisht dyshohet se është rrahur nga një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje me disa plagë, që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga goditja me thikë. Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Sipas informacioneve të para, viktima ka qenë me shokët e tij në momentin që është sulmuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve për ta kapur të dyshuarin.