Komuna ndau 110 mijë euro për motrën e saj, Ujkani: Janë për operacionin e radhës, Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ka sqaruar se paratë e ndara nga Komuna e Prishtinës, për motrën e saj që muaj më parë u lëndua rëndë si pasojë e rënies së çatisë së objektit të komunës, janë për operacionin e ardhshëm të 23-vjeçares.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ujkani ka thënë se familja e saj dje janë përballur me linçim në rrjete sociale, për shkak të siç thotë ajo ‘keqinformimit’ të publikut.
“Pas shumë vështirësive, netëve pa gjumë e traumave të njëpasnjëshme që kemi kaluar me shëndetin e motrës sime Elzës, dje u përballëm edhe me linçimin e familjes sonë në mediat sociale.
Publiku u keqinformua se familjes sonë i është dhënë dëmshpërblim/kompensim nga Komuna për dëmin që i është bërë Elzës.
Për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës, Elza duhet t’i nënshtrohet një operacioni plastik. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të mbuluar pjesën e dëmtuar dhe për të parandaluar komplikime të mëtejshme shëndetësore”, shkroi ajo.
Ujkani tha se motra e saj Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin dhe këto 110 mijë euro të ndara nga Komuna, janë për operacionin e radhës.
“Pa këtë operacion, Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin e saj, që përfshijnë infeksione të mundshme dhe dëmtime të tjera të përhershme.
110.000 eurot janë për këtë operacion. Për operacionin e ardhshëm të Elzes.
Së pari, dua t’ju kujtoj të gjithëve se asnjë shumë parash nuk mund të kompensojë dhimbjen dhe vuajtjen që Elza ka kaluar dhe ende po kalon”, shkroi më tej deputetja e VV-së.