Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje ushtarake

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se bashkë me homologun e tij turk Yasar Guler, e kanë nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë.

“Nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë me Republikën e Türkiye. Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, me pritje ceremoniale filluam takimin i cili përfundoi me një të arritur shumë të rëndësishme të përbashkët, nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime”, tha Maqedonci.

Maqedonci përmendi edhe disa cështje të cilat i ka diskutuar me ministrin turk të Mbrojtjes.

“Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre”, ka thënë Maqedonci.

Maqedonci theksoi se bashkëpunimi me Turqinë do të vazhdojë.

“Krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Lexo edhe:  Tentohet të helmohet në burg Izet Haxhia