Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

Sot do të fillojë ndryshimi gradual i motit.

Gjatë ditës ende ngrohtë, por me shtim të vranësirave që vijnë nga Mesdheu së bashku me grimcat masive të pluhurit saharian. Vende-vende priten reshje kryesisht të dobëta shiu, ndërsa temperaturat pësojnë ulje të lehta dhe ajo maksimale parashihet rreth 25 gradë Celsius.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot me diell dhe shtim të vranësirave të cilat do të fillojnë të kushtëzojnë edhe reshje lokale shiu sidomos në disa vise të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ndonjë rigë e dobët shiu pritet edhe në Maqedoninë Veriore dhe Kosovën lindore, por në mbrëmje reshjet e shiut mund të intensifikohen dhe shpeshtohen. Gjithashtu edhe në Shqipëri do të ketë koncentrime mjaft të larta të grimcave sahariane.

Të Mërkurën do të kemi ardhjen e sistemit të fuqishëm frontal, me dendësim masiv të vranësirave e reshje të dendura shiu të shoqëruara lokalisht edhe me rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme, ndërkohë që reshjet e borës do të fillojnë në malet e larta.

Nga e Enjta na pret mot i ftohtë, me vranësira të shpeshta e reshje e rrebeshe të shpeshta shiu. Në viset kodrinore-malore nganjëherë priten reshje shqote e bore. Për shkak të prezencës së vranësirave të shumta kemi gjasa të mira që të shpëtojmë pa ndonjë acar të vonshëm, megjithatë kjo mund të ndryshojë me përditësimet e reja dhe të shpresojmë të ndryshojë edhe më shumë për të mirë./MeteoBallkan

Lexo edhe:  Kurti: Marrëveshja Bazike ekziston por Serbia s’po e respekton atë, ka shkelur 8 nga 11 nenet e saj