Ky është i riu që e ndoqi Policia në Deçan si në filma, voziste pa leje -‘merakli’ i armëve ilegale

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze qoftë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, apo edhe jashtë saj. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Shkak për këtë në shumë raste janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion dhe kontrollet policor.

Kështu ka ndodhur edhe të martën në Deçan, ku Policia është përballur si në filma me një 26-vjeçar, i cili po lëvizte me veturën e tij në rrugën “Luan Haradinaj” edhe pse e kishte të ndaluar.

I njohur si recidivist i armëmbajtjes pa leje, i riu i bëri ‘kahre’ zyrtarët policorë, që e ndoqën për ta kapur, derisa në një moment u zbulua se po mbante edhe armë.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari që ra në prangat e Policisë pavarësisht tentativës për të ikur është Faton Seferaj, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.

“Njësia policore ka ndaluar të dyshuarin m/k për një kundërvajtje në trafik. Gjatë verifikimin i njëjti ka rezultuar se ka masën e ndalimit të patentë shoferit. Gjatë tentimit për ta kontrolluar të dyshuarin i njëjti ka filluar të vrapojë duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Zyrtarët policor e kanë ndjekur të dyshuarin dhe gjatë ndjekjes kanë vërejtur se i dyshuari posedonte një armë në dorë të cilën e ka hedhur në lum.

Zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin dhe nga lumi kanë marrë një pistoletë me 5 fishekë dhe një thikë.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Thojshin drejtësi e punësim”, Hamiti: Asistenti i deputetit i merr 900 euro, paga mesatare e policit 600