E turpshme: Qytetari bën për spital nënën dhe motrën e tij, intervenon Policia
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.
Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një konflikt ka ndodhur mbrëmë në një familje në Prizren, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe motrës së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se nënë e bijë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku kanë deklaruar se 29-vjeçari pas një konflikti verbal ka eskaluar në dhunë fizike ndaj tyre, duke iu shkaktuar kështu lëndime trupore.
Viktimat kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e 29-vjeçarit nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dhunë në familje’.