Sherr mes dy personave në Ferizaj, i dyshuari kërcënon me thikë 62-vjeçarin – i gjendet edhe një armë

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve të ndryshme mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në rrugën ‘Ilir Konushevci’ në Ferizaj, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pas një konflikti verbal mes dy personave, i dyshuari ka kërcënuar me thikë viktimën.

I shqetësuar nga kjo situatë, 62-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pos thikës, të dyshuarit i është vërejtur edhe një armë zjarri.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, të cilit ia kanë sekuestruar thikën dhe armën me karikator dhe fishekë, të cilën e mbante me vete.

60-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Lexo edhe:  Kërkohet shfuqizimi i udhëzimit administrativ që ndalon shaminë në shkolla