Lirohet kirurgu që dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij në Spitalin e Gjilanit, ky është vendimi i Gjykatës
Mustafa, i cili shërben në Spitalin e Regjional në Gjilan, ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme. Ai po dyshohet se eskaloi në dhunë fizike ndaj kolegut të tij, kirurgut Arbër Morina, të cilin e rrahu dhe i shkaktoi lëndime trupore. Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Gjilan kërkoi masën e arrestit shtëpiak dhe pas seancës, Gjykata tashmë ka marrë një vendim.
Siç merr vesh Sinjali, trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, duke ia caktuar Mustafës një masë alternative, atë të ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Kjo është konfirmuar edhe nga mbrojtësi i Mustafës, i cili ka deklaruar se ndalimi i tij është “jashtëzakonisht i kundërligjshëm”, pasi siç tha ai, nuk ka prova.
“S’ka prova. Ndalimi i tij është jashtëzakonisht i kundërligjshëm dhe i paarsyetuar. Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt pasi s’ka prova. Gjykata ka vendosur ta refuzojë masën e arrestit shtëpiak – tha Isa Mustafa për Sinjalin.
Ndryshe, Morina ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik me të cilin u përball dhe i njëjti ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Morina ka rrëfyer gjithë ngjarjen, duke thënë se Mustafa e ndjekur pasi ka dalë nga salla dhe më pas e ka rrahur.
E sipas tij, sebep për këtë janë raportimet ndaj Mustafës, për të cilin thotë se disa herë ka thyer rregullat e spitalit.
“Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka prit derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmu fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet me më sulmu fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam mendu këtë pjesë. Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit”
“Evidentimin e problemeve e kam bërë me shkrim për çdo shkelje të mundshme. Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka thënë Morina.