Ky është serbi i dyshuar për shitblerje të drogës në Veri, goditi policin me veturë dhe iku

Një person i dyshuar për shitblerje të lëndëve narkotike, ka refuzuar që t’u bindet urdhrave për t’u ndalur nga Policia e Kosovës në Suhodoll në Mitrovicë të Veriut dhe teksa ka bërë përpjekje të ikte, ka goditur me veturë një polic dhe veturën zyrtare. I dyshuari ka arritur që të arratiset dhe i njëjti është shpallur në kërkim policor.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Marko Janjiq, në veturën e të cilit u gjetën rreth 2 kilogramë marihuanë.

Sipas një komunikate për media, Policia ka njoftuar se për të vënë situatën nën kontroll janë detyruar të përdorin armët e zjarrit.

Zyrtarët policorë gjatë realizimit të detyrave të tyre, sot rreth orës 12:40 në fshatin Suhodoll- Mitrovicë Veri, gjatë tentimit për të ndaluar për kontroll një veturë të dyshuar, drejtuesi i veturës nuk ka ndaluar dhe me veturë ka sulmuar-goditur një zyrtar policor dhe po ashtu një veturë të policisë.

Të ndodhur në këtë situatë, kur seriozisht ishte e rrezikuar jeta e zyrtarëve policorë, zyrtarët për të mbrojtur jetën dhe vënë situatën nën kontroll, janë detyruat të përdorin armët e zjarrit.

Gjatë zhvillimeve në këtë situatë pos një polici të lënduar (goditur nga vetura), gjatë përdorimit të armëve nuk ka të dhëna për persona të lënduar”, thuhet në komunikatë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i Janjiq.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ky është i arrestuari i pestë për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë