Ky është mitrovicasi që dyshohet se merrej me shitblerjen e drogës, Policia ia bastis shtëpinë

Një aksion i Antidrogës i zhvilluar sot në Mitrovicë rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe sekuestrimin e një sasie të kokainës. Ndaj të dyshuarit që u prangos është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Gëzim Hasanin, 37-vjeçar, i cili ka qenë objekt hetimi, nën dyshimin e bazuar se qe një kohë të caktuar merrej me shitblerjen e substancave narkotike.

Sinjali mëson se Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij, ku janë gjetur 80 qese me substancë narkotike, të llojit kokainë, rreth 2500 euro para të gatshme, si dhe armë e municion, që janë sekuestruar si prova materiale.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Dyshimet për vdekjen e një alpinisti kosovar në zonën e Alpeve, e pamundur ndërhyrja nga ekipi i shpëtimit