Qeverisë i kërkohet përkrahje edhe për punëtorët e sektorit privat

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK), duke vlerësuar situatën e rënduar të bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat si pasojë e goditjes nga pandemia COVID-19, luftës në Ukrainë, rritjes enorme të çmimeve të produkteve të shportës familjare, naftës, gazit dhe shumë produkteve të tjera, kërkon nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përkrahje direkte dhe pa kushtëzime për punëtorët dhe sektorin privat.

DHTIK-ja përshëndet vendimin e fundit të marrë nga Qeveria për pakon e re të masave për përballje me inflacionin.

“Rikujtojmë se janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët mbajnë familje dhe jeta u është rënduar për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në vend, e të cilët mund të mos përfitojnë nga kjo pako e re e masave e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, pasi e vetmja pikë e paraparë për këtë kategori, në kuadër të kësaj pakoje, është kushtëzimi prej 50% të rritjes së pagës deri në 100 euro për tre muajt e parë, ku realizimi i së njëjës do të jetë shumë i vështirë për një pjesë të madhe të bizneseve”.

“Kjo pasi punëdhënësit e sektorit privat e që janë shumicë, do ta kenë shumë vështirë të bëjnë ngritjen e pagave për punëtorët e tyre, për shkak se të njëjtit kanë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për bizneset e tyre, në mënyrë që të njëjtat të mos falimentojnë”, thuhet në komunikatën e DHTIK-së.

Ata kanë rikujtuar se biznesi në vazhdimësi ngrit pagat në bazë të mundësive që ka dhe që është e ndërlidhur me sektorët, kërkesën e tregut, kapacitetet e tyre dhe politikat fiskale që ofron shteti.

“Andaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzojë punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sektorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti.

Lexo edhe:  Rekordi i të gjitha kohërave: Shihni sa avionë për një ditë fluturan në qiell saktësisht një javë më parë

Rikujtojmë se gjatë krizës energjetike në muajin qe lamë pas, biznesi mbeti mbi 6 orë në ditë pa energji elektrike dhe nuk morri asnjë përkrahje nga shteti për humbjet e mëdha të shkaktuara në prodhime, ndëshkime për mosrealizim të marrëveshjeve të kontraktuara etj., duke u detyruar po ashtu që një pjesë e bizneseve sipas mundësive të investojnë edhe në gjeneratorë, inventarë dhe bateri për të përballuar krizën”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Dhoma e Tregtisë fton kryeministrin e Kosovës në një dialog të drejtpërdrejtë, duke e marrë parasysh se çdo ditë është në terren duke e monitoruar gjendjen e bizneseve.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon gjithashtu nga kryeministri, ministrat dhe sektorët tjerë të shtetit që të marrin parasysh kërkesat e vazhdueshme që është duke iu dërguar në tejkalimin sa më të lehtë të krizës dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në vend”.