Agim Ademit i dështon karta e trajnerit spanjoll, ja kë e zgjedh Moreno
Robert Moreno pritet të bëhet trajner i ri i klubit rus, Sochi.
Trajneri spanjoll së fundmi e pati një takim me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me të cilin bisedoi për mundësinë që ta marrë në dorë Kombëtaren e Kosovës.
Por, mediumi spanjoll “AS” raporton se Moreno pritet që shumë shpejt të emërohet trajner i klubit rus, duke i lënë kështu anash opsionet që i kishte që të bëhej selektor i Kosovës ose trajner i klubit turk, Adana Demirspor.
Sipas “AS”, ish-selektori i përkohshëm i Spanjës do ta zgjedhë projektin e Sochit pavarësisht se ky ekip është në fund të ligës elitare ruse.
Pronarët e klubit janë të gatshëm ta zhvillojnë një projekt ambicioz me Robert Morenon në krye. Ai pritet të emërohet si trajneri i katërt i Sochit në këtë sezon pas Jojlov, Tochilin dhe Kliuyev.