“Kom me iu vra, e keni shansin deri nesër”/ 41-vjeçari në Ferizaj kërcënon prindërit e tij

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur në qytetin e Ferizajt, ku në një familje djali dyshohet se ka kërcënuar me jetë nënën dhe babanë e tij të moshuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se prindërit e shqetësuar nga veprimet dhe fjalët e të birit, kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Bazuar në dëshminë e tyre, 41-vjeçari i ka kërcënuar përmes mesazheve telefonike se do t’i vrasë dhe do bëhet gjaku deri në gju, teksa ‘u ka dhënë shans’ deri nesër.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin dhe para hetuesve policorë ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Gjuajtje me armë zjarri në Gjakovë, Policia e arreston një person