E rëndë në Prizren: 28-vjeçari rrah të dashurën sllovake në një motel, ajo aborton foshnjën shkaku i dhunës
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë qoftë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit.
Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë në një motel në Prizren, ku një person ka ushtruar dhunë brutale ndaj të dashurës së tij e cila është shtetase sllovake.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se 20-vjeçarja është dërguar atje për ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve trupore që kishte marrë shkaku i dhunës fizike të cilën e kishte përjetuar.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës.
Bazuar në dëshminë e saj, përpos lëndimeve trupore që ia shkaktoi i dashuri, ajo ka humbur edhe foshnjën të cilën e priste, pasi sipas saj, ishte në javët e para të shtatzënisë. E njëjta ka pohuar që i dashuri saj 28-vjeçar pasi e ka rrahur ka tentuar që ta dërgojë në Maqedoninë e Veriut, por ajo ia ka arritur që të arratiset nga ai.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa viktima për shkaqe sigurie është dërguar në strehimore.