Dhunimi i të miturës në Pejë: Rasti u zbulua pasi vajza iku nga shtëpia, Prokurori e liron të dyshuarin

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Pejë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një burri, i cili ka raportuar në Polici se vajza 15-vjeçare e një familjarit të tij dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga një person.

Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur pasi vajza ishte larguar nga shtëpia dhe dyshohet se kishte qëndruar në një person të moshës madhore, me të cilin kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Përballë kësaj situate, i njëjti vendosi të kërkojë ndihmë, duke e raportuar rastin në Polici, ku si rezultat i denoncimit u kuptua se e mitura kishte nisur të bashkëjetojë me të dyshuarin.

Posa Policia është aktivizuar, është siguruar prezenca e të dyshuarit, i cili është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar lirimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”,

Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë.

“Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se i njëjti kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën femër kosovare. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa  viktima është dërguar në shtëpinë e sigurt.”

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes në moshë të re frizeri i njohur