Njohësi i Integrimeve Evropiane: Franca ka zero mundësi në mënyrë unilaterale të pezullojë vizat
Demush Shasha, njohës i Integrimeve evropiane dhe politike njëherësh drejtor nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, EPIK, ka thënë se Franca e ka të pamundur pezullin e vizave për Kosovën.
“Sot këshilla kryesore diplomatike për Kosovën është: buzëqesh dhe mos thuaj asgjë. Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta të shtëpisë dhe mund të rri komod për liberalizimin e vizave. Ne veç jena tu e prit të buzëqeshur 1 janarin 2024. Eh tash nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezulloj liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, ka thënë Shasha.
Ai përmes një reagimi ka thënë se nuk duhet marrë seriozisht deklaratat që vijnë pa vendime të prera.
“Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”, tha tutje Shasha.
Deklarata e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me pezullimin e mundshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka ngjallur reagime dhe paqartësi në Kosovë.
“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macroni.